Friday, March 20, 2015

Nokia 8210, telefoni më i kërkuar nga trafikantët…




Ju kujtohen telefonat e mëparshëm, të cilët nuk kishin as Bluetooth, as WiFi dhe as GPS? Tani të gjithë telefonat inteligjentë i kanë këto veçori, por ka ende nga ata që i kërkojnë këta telefona. 

Nokia 8210 është konsideruar si telefoni më i kërkuar nga shpërndarësit e drogës. Në kohën kur ky telefon u hodh në treg, konsiderohej si një pajisje e cilësisë së lartë, pasi mund të mbahej lehtësisht në dorë dhe ishte shumë i hollë në krahasim me telefonat e tjerë të asaj kohe, por që tani mund t’u shërbejë vetëm shpërndarësve të drogës.

 Arsyeja është sepse ky telefon nuk përmban veçori të tilla si Bluetooth, NFC ose WiFi, që do të thotë se policët nuk mund të gjurmojnë përdoruesit e këtij telefoni. 

Lidhja e tij me infra dhe bateria që zgjat për shumë orë janë disa nga arsyet se përse telefoni është kaq popullor, pasi ai lejon shpërndarësit e drogës që të administrojnë biznesin e tyre gjatë gjithë ditës pa u shqetësuar se mos fiket. 

“Çdo shpërndarës droge që unë njoh përdor telefona të vjetër, dhe Nokia 8210 është një prej tyre që të gjithë e duan, sepse është i vogël dhe bateria zgjat shumë,”- u shpreh një shpërndarës droge, i njohur me nofkën K2, gjatë një interviste të dhënë për uebsajtin Vice.

Thursday, March 19, 2015

Ip Box, aparati elektronik i cili mund të zhbllokojë çdo iPhone të bllokuar me kod


                                                                      Lajm i Mire


Së fundi në rrjet është shfaqur një aparat elektronik i cili përdoret nga shumë dyqane të cilët riparojnë SmartPhone. Sipas ekspertëve aparati është në gjëndje të zhbllokojë çdo iPhone të bllokuar me PIN nëpërmjet tentativave të pafundme ose "Brute Force".  Ip Box  nuk ka dimensione të mëdha edhe mund të gjejë Pin-in e një iPhone ose iPad në të cilin është aktivizuar gjëndja Lock Screen.

Aparati kushton rreth 300$ edhe funksionon duke provuar kombinime të pafundme të numrave që janë zgjedhur nga përdoruesi. Kjo lloj mënyre zhbllokimi mund të kërkojë deri në 110 orë pune në qoftë se Pin-in është me 4 shifra, ndërsa rritet ndjeshëm nëse shifrat që kriojnë fjalëkalimin rriten.

Por nga ana tjetër ekspertët e këtij produkti konfirmojnë se Apple e ka bllokuar këtë dobësi që nga iOS 8.1.1. Gjithsesi në videon e mëposhtëme mund të shikoni funksionimin real të Ip Box.



Monday, March 16, 2015

Facebook Refuzon Qeverinë Shqiptare Në 75% Të Kërkesave





Qeveria e Shqipërisë ka shtuar kërkesa për informacione personale të mbajtura në llogaritë e përdoruesve të rrjetit të medias sociale Facebook, bëhet e ditur nga raporti i transparencës së kësaj kompanie. Sipas të dhënave të publikuara nga Facebook, autoritetet shqiptare dorëzuan në periudhën korrik-dhjetor 2014, 16 kërkesa për informacion mbi 34 llogari. Por Facebook raporton se ka dhënë informacion për vetëm 25 për qind të kërkesave.


 Gjatë gjysmës së parë të vitit 2014, Shqipëria pati dorëzuar vetë, 4 kërkesa për 6 llogari Facebook ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2013, qenë dorëzuar vetëm 6 kërkesa për 9 llogari.

 Qeveritë dorëzojnë kërkesa te gjigandët e internetit si pjesë e hetimeve të tyre ose në rastet kur informacioni i shpërndarë nga llogaritë e medias sociale përbën shkelje të ligjeve vendëse. Facebook thotë se zakonisht autoritetet kërkojnë të dhënat bazë të një llogarie të dyshuar të lidhur me një aktivitet kriminal të rëndë si grabitjet me dhunë apo pengmarrjet, përfshirë të dhënat mbi numrat e identitetit dhe vendndodhjen e pajisjeve që kanë aksesuar llogarinë. 

 Në disa raste kërkohet fshirja e të dhënave të një llogarie apo heqja e saj nga publikimi. Facebook nuk bën publike kërkesat sipas llojeve, por në disa raste, kërkesat për bllokim llogarish lidhen me propagandën e grupimeve të ndryshme terroriste si Shteti Islamik. 

Nga ana tjetër, media sociale sugjerohet se po përdoret gjatë viteve të fundit edhe si mjet komunikimi për grupet e ndryshme kriminale, të cilat e gjejnë më të lehtë t’i shpëtojnë përgjimeve të mjeteve konvencionale të komunikimit si telefonia. 

 Pavarësisht kësaj, ka shumë debate aktualisht nëse kompanitë e komunikimeve elektronike po bëjnë gjënë e duhur duke iu përgjigjur kërkesave të qeverive për të dhëna personale. Arsyetohet se qeveri të ndryshme mund të synojnë të shtypin kundërshtarët e vet politikë përmes kërkesave të tilla. 

 Këto kompani thonë se i vlerësojnë me ashpërsi kërkesat e qeverive dhe përputhjen e këtyre kërkesave me legjislacionet përkatëse. Rrjedhimisht, fakti që Shqipërisë i janë refuzuar 75 për qind të kërkesave për informacion që i kanë dërguar Facebook, sugjeron dobësi të bazës ligjore të këtyre kërkesave.

 Në raportin e ngjashëm të publikuar nga Twitter, autoritetet shqiptare kanë dorëzuar vetëm një kërkesë gjatë vitit 2014, kërkesë e cila nuk është plotësuar nga Twitter.